Modeli i fazave të ndryshimit sipas Dr. Ruth Freeman mund të ndihmojë profesionistët e shëndetit oral në qasjen e tyre psiko-sociale me pacientët e aftësisë së kufizuar. Ai siguron një kornizë me të cilën ata mund të vlerësojnë progresin e pacientëve të tyre nga mosvetëdija përmes motivimit në pajtueshmëri. Aftësia e kufizuar është një sfidë për profesionistët e fushës, por ndjekja e këtyre hallkave në mënyrë të rregullt mund të bëj që të ketë sukses.
Faza 1: Paramendimi
Paramendimi karakterizohet nga ndërgjegjësimi i pacientëve në lidhje me nevojën për të ndryshuar sjelljen e tyre ndaj dentistit. Teknika që përdoret në këtë fazë është intervistimi motivues për të vlerësuar gatishmërinë për ndryshim. Në këtë fazë mjeku prezantohet me shqetësimet, ngarkesat emocionale të pacientëve së bashku me dëshirën e tyre për të ndryshuar,
informohet mbi diagnozën bashkëshoqëruese, medikamentet që përdorin, bashkëbisedon me familjarin e tij për t’u njohur mbi barrierat që ka pacienti në përditshmëri dhe se si mund të përshtatet dentisti ndaj tij.
Faza 2: Mendimi
Në këtë fazë pacienti me aftësi të kufizuara në nivele të moderuara komunikimi dhe ndërveprimi përfshihet më shumë në bisedë me dentistin, pasi ky i fundit ka arritur t’i prezantojë atij instrumentat e punës që do të përdor për një procedurë mjekësore që do të kryhet në gojën e tij. Pasqyra është mjeti kryesor ku fëmija do të shikoj gjëndjen e tij të gojës, kariet e dhëmbëve frontal dhe distal, i lëviz me dorë dhëmbin para pasqyrës në mnëyrë që të kuptojë arsyen se përse duhet hequr ky dhëmb; dhe nisur nga gjithë këto shpjegime me një gjuhë sa më të thjeshtë nga dentisti fëmija në rolin e pacientit kupton se si bakteri në gojë fiton imunitet mbi organizmin e tij, ai do të përfshihet në një proces të thellë mendimi dhe do të vetëdijësohet në një luftë të hapur me bakterologjinë.
Faza 3: Përgatitja
Koha e përgatitjes përmirëson vetëdijen dhe vetë-imazhin, rrit gatishmërinë për të ndryshuar dhe ndihmon në menaxhimin e sjelljes së pacientit. I përshkruhet e gjithë klinika, fotografitë e varura në korniza të mëdha nëpër mure ku shfaqen buzëqeshjet e bukura me dhëmbë të bardha. Dentisti duhet të ketë sallën me ilustrime figurative ku tregohen pamjet e fëmijëve që nga njëra anë bërtisnin nga dhimbjet dhe nga ana tjetër, pas ndërhyrjes së kryer, ndiheshin të lehtësuar dhe të buzëqeshur. Pra, për ata ka shumë rëndësi faza paraprake kur parapërgatiten me njohjen fizike të terrenit, dhe kur i sqarohen gjërat që do të ndodhin.
Faza 4: Veprimi.
Gjatë veprimit, mjeku duhet t’i flasi pacientit në vetë të parë duke krijuar një komunikim të drejtëpërdrejtë me të, dhe të përdori një tonalitet pak më të lartë të zërit për të komanduar sjelljen e tij jo të zakonshme në poltron. Gjatë fazës së veprimit, mjeku duhet të punojë shumë me durimin e tij, duhet të ketë empati ndaj pacientit dhe të përpiqet që gjatë momentit të përdorimit të instrumentave t’i shpjegojë atij paraprakisht me një gjuhë të thjeshtë se çfarë do t’i ndodhi.
Faza 5: Mirëmbajtja.
Është e rëndësishme që pas ndërhyrjes, pacienti të ndjeki në mënyrë periodike kontrollin me mjekun e tij, duke reflektuar përgjegjësinë e përbashkët për ruajtjen e përmirësimeve të shëndetit oral. Personat/fëmijët me aftësi të kufizuara që kanë arritur fazën e veprimit përfitojnë nga ndërhyrje më të shkurtra, më intensive dhe bëhen më pjesëmarrës në seancat në vazhdim. Ata kanë marrë përgjegjësinë për shëndetin e tyre oral duke pranuar rolin mbështetës të profesionistit të shëndetit dentar.
Faza 6: Rikthim në gjëndjen fillestare.
Rikthimi në gjëndjen fillestare tek një pacient me aftësi të kufizuar, ndodh kur strategjitë e mirëmbajtjes prishen dhe sjelljet e mëparshme jo të shëndetshme rifillojnë. Edhe pse kjo fazë është e zakonshme dhe mund të shfaqet si një fatkeqësi, ajo ofron një ri-negocim të qëllimeve shëndetësore. Një implantolog italian gjatë procesit të intervistimit, tregoi teknikën që duhet të përdoret në kushtet shtëpiake në lidhje me procedurën e larjes së dhëmbëve tek këta fëmijë për të mos patur përkeqësim të shëndetit të tyre oral dhe për të mos patur një rikthim në gjëndjen fillestare. Që të rritet ky ndërgjegjësim nevojitet marrja e një furçeje me fije shumë të buta, e cila do të futet në një gotë ujë me një temperaturë optimale ku mundëson që fijet e furçes të zbuten edhe më tej dhe shpërlarja e gojës duhet realizuar me ujë të ftohtë. Më pas mund të merret pasta e dhëmbëve me shijen që fëmija dëshiron, si për shëmbull shija e frutave. Përdorimi i furçes duhet të jetë i shpejtë duke bërë disa kalime tek të dyja nofullat. Sa më gjatë t’iu fërkohen dhëmbët aq më keq do të jetë përgjigja e tyre herën tjetër, sepse ndjesia e pakëndshme që iu krijohet në gojë, e bën akoma edhe më të pritshme rezistencën që do të bëjnë rradhën tjetër kur të përsëritet i njëjti proces.
Dr. Ruth Freeman lektor i dalluar në shëndetin dentar publik në shkollën e dentistrisë klinike në Londër, në publikimin e tij të rradhës mbi kujdesin dentar të pacientëve është shprehur se profesionistët e shëndetit dentar duhet të përpiqen të dinë për sfondin psikosocial të pacientëve të tyre, si dhe të kuptojnë reagimet që ata kanë përkundrejt kujdesit që marrin. Dr. Ruth Freeman thotë se 65% e të gjithë komunikimit është joverbal me pacientët PAK. Komunikimet ose sinjalet joverbale besohen më lehtë sesa ato të fjalës së folur. Është rasti, për njerëzit në përgjithësi, që ‘veprimet flasin më shumë se fjalët’.



