Rrëfime historish të mjekeve stomatolog me pacientët me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

“Pacienta të tillë, mund të më ketë rënë rasti me të paralizuar. Ndërsa pacientë për sa i takon pacientëve me sindromën Daun, nuk ka një mënyrë për të qëndruar një pacient në poltron, kur ai nuk hap gojën, kur nuk qëndron dot. E vetmja mënyrë është të bëhesh agresiv, ose me trajtim sedativ. Nuk është se nuk duam, por nuk është e mundur. Unë sedacionin tek klinika nuk e ofroj dot. As koshientin jo. Për të ofruar sedacionin duhet të kesh një grup pacientësh që duhet të paguajnë për këtë gjë. Janë këto metodat e reja me azotin, që nuk janë të kushtueshme, janë pajisje të mëdha, por kur vjen puna që të bësh investim duhet ta mendosh edhe se sa do ta përdorësh atë si investim”.



“Po e vërtetë. Njërin e ndihmuam dhe e ulëm në poltron, dhe kishte duar shumë të forta që u ul në poltron që u spostua. Me pak ndihmë nga ne kuptohet dhe çdo gjë tjetër ka qënë nën kontrollin tim. Pastaj me një zotëri tjetër, ai ka qëndruar në karrigen e vet dhe jam vërtitur unë rreth tij. Duke qenë se këto instrumentat e poltronit mund të lëvizin, i jam përshtatur unë pacientit. Nuk është se i kam bërë ndonjë gjë më pak se i bëra një pacienti normal. Thjesht qëndrimi im ishte pak më i sikletshëm. Nuk kam qenë i/e ulur në karrige por rreth pacientit. Madje dhe aspiratorin e kam marrë nga poltroni tjetër, edhe kam vënë pacientin në mes. Ai as nuk fliste. Kishte pësuar paralizë”.



“Ndërsa për pacientat e tjerë tek ky grupi që thua ti, që mund të jemi marrë me ta, janë personat që janë me hiperaktivitet ADHD. Pacienta të tillë prindërit nuk i referojnë. Edhe kur plotësojnë kartelën mjekësore, ata e kanë siklet që ta pranojnë që fëmija e tyre e kanë një problem. Thonë: Shiko, djalit tim po i dhëmb dhëmbi, hajde shikoje ti. Dhe duhet ta gjej unë zgjidhjen më pas. Dhe kur fillon ta pyesësh: “Çfarë mjekimi merr?”, – ai të thotë se: “Jo jo asgjë nuk merr”. Dhe kur i fillon trajtimin, atëhere fillojnë dhe shprehen hap pas hapi, duke të të thënë se mund ta ketë alergji”.



“Frika vjen vetëm nga infrastruktura dhe nga kushtet e punës dhe jo nga aspekti profesional sepse dhëmbi njësoj bie dhe njësoj mbushet dhe njësoj vendoset, si në pacientë normal dhe ata jonormal. Nuk është se i bëjmë gjë ndryshe. Ajo që mua më pengon është infrastruktura që une nuk e disponoj për këtë kategori. Dhe une zgjedh i/e vetëdijshm/e që duke qenë se une kam vetëm tre gjera kur në fakt më duhen 10, une zgjedh mos t’i bëj dëm këtij pacient”.


“Nuk mund të them që kam pasur frikë. Thjesht është ajo përgjegjësia për t’i shërbyer dhe për të pasur një rezultat të mirë në fund. Po flas më shumë për këtë rastin e vajzës me autizëm. Është biseda në fillim me prindin. Vajza ishte me probleme dhe në të folur dhe në të dëgjuar përveç se ishte autike, por merrte vesh gjithsesi dhe kishte pak frikë. Nëse i thoje që terapistja do e merrte vesh që nuk do rrinte mirë, ajo do të rrinte mirë. Kemi marrë me pak fjalë çdo gjë shtruar. Ashtu si një fëmijë normal. Ditën e parë është thjesht prezantim. Ditën tjetër e kam ulur në poltron. I kam treguar instrumentat në formë loje. I kemi prekur e provuar në duar, dhe pastaj kemi provuar dhe në gojë. Ka qenë thjesht pastrim. Seancën e parë njihet me mua, me ambjentin, me klinikën, një bisedë e shkurtër. Seancën e dytë pastaj mundohem ta ul tek poltroni dhe t’ia tregoj të gjithë instrumentat dhe ndoshta mund të bëjmë një lloj ndërhyrje të vogël. Seancën e tretë vazhdoj me procedurat. Gjithmonë në formën e lojës. Me këtë djalin me ADHD kam pasur pjesën e lëvizshmërisë gjatë gjithë kohës, megjithatë ia kam dalë. Me këtë djalin kam realizuar mbushje dhëmbi, dhe kam bërë një anestezi infiltrative me gjilpërë, pra mpirje lokale. Me këtë djalin më janë dashur rreth 50 minuta për një mbushje gradë e dytë. Ndërsa me një pacient të zhvillimit normal diku tek 20 minuta. Jo me fëmijët, sepse me fëmijët më beso që edhe sikur të jetë normal, përsëri ka ato frikërat dhe dyshimet dhe do kohën. 50 minuta duke filluar që nga faza e parë para se unë të filloj anestezinë. Sedacioni domethënë është një mënyrë shumë e mirë që pacienti të mos ndjejë dhimbje, dhe duke qënë se nuk e ofrojnë si shërbim tek këto klinika që unë kam punuar, duhet t’i mbushësh mëndjen pacientit që të aplikoj anestezinë për mpirje, duhet t’i prezantosh një gjilpërë, dhe duhet t’ia prezantosh si një ilaç që e vë dhëmbin dhe krimbin në gjumë”.